Secondary Adv

Kryeministri Rama paralajmëron rishikim të kodeve themeltarë të drejtësisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka ardhur koha që të rishikohen me themel librat themeltarë të shtetit të së drejtës, duke vënë theksin tek puna për Kodet Penal, Civil dhe të Procedurës Penale.

Rishikimi i kodeve: Penal, Civil dhe i Procedurës

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka ardhur koha që të rishikohen me themel librat themeltarë të shtetit të së drejtës, duke vënë theksin tek puna për Kodet Penal, Civil dhe të Procedurës Penale.

 

Gjatë prezantimit të Ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ai theksoi se:

 

“Duhet të vijojmë me përmirësimin e standardeve. Kjo materializohet në punën e madhe që e pret Ministrinë e Drejtësisë për t’i dhënë formën përfundimtare versionit përfundimtar që qeveria do të çojë në parlament për Kodin Penal, për Kodin e Procedurës dhe për Kodin Civil po ashtu. Janë libra themeltar të një sistemi drejtësie që u ka ardhur koha të rishikohen me themel.”

 

Kontributi i ekspertëve dhe transparenca në proces

Rama vlerësoi rolin e ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në koordinimin e procesit, duke nënvizuar se qeveria është vetëm njëra nga shumë palët e përfshira. Draftet e reja të kodeve po hartohen nga profesorë dhe ekspertë të së drejtës penale me integritet profesional.

 

Pavarësia e drejtësisë, thelbi i reformës

Kryeministri nënvizoi rëndësinë e garantimit dhe konsolidimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke kujtuar se ekzekutivi ka marrë një “vendim historik” për të mos ndërhyrë në vendimmarrjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

 

Ai theksoi se kjo pavarësi, edhe pse e konsoliduar vetëm vitet e fundit, mbetet ende e brishtë:

 

“Kjo është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar përgjithmonë dhe që jemi ne pikërisht që duhet ta garantojmë dhe konsolidojmë në këtë fazë.”

 

Drejtësia, kusht për integrimin në BE

Rama e quajti këtë proces një mision kombëtar që lidhet drejtpërdrejt me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai paralajmëroi se rikthimi i ndikimit politik mbi drejtësinë do të sillte pasoja të rënda për rrugën europiane të vendit.

 

“A do të jetë Shqipëria një vend anëtar i BE-së me një drejtësi të pavarur si në çdo vend të BE-së, të garantuar njëherë e mirë, apo do të bjerë Shqipëria në tundimin e kthimit mbrapa duke vënë në rrezik edhe vetë anëtarësimin në BE,” tha Rama.

 

Largimi i ekzekutivit nga sistemi gjyqësor

Në përfundim, Rama rikujtoi se heqja dorë nga ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv në:

 

-proceset gjyqësore,

-përzgjedhjen,

-promovimin dhe

-shkarkimin e prokurorëve e gjyqtarëve,

 

është një premisë e domosdoshme për një drejtësi funksionale, demokratike dhe të pavarur. /Ekofin.al


Më të lexuarat